Takim për Forcimin e Sigurisë Rrugore në Qarkun e Vlorës

Me iniciativën e Prefektes së Qarkut Vlorë, znj. Evis Allushi, u zhvillua një takim pune në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të kësaj strukture.

Në fokus të takimit ishin çështjet që lidhen me sigurinë rrugore dhe domosdoshmërinë e forcimit të masave parandaluese për reduktimin e ngjarjeve të rënda që vijnë si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë diskutimeve, Prefektja e Qarkut theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe rolin e policisë në zbatimin e masave parandaluese, si dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit.

Në përfundim të takimit, Prefektja e Qarkut dhe Drejtori i Policisë ranë dakord që takime të tilla të organizohen periodikisht, me synimin për të arritur rezultate konkrete dhe të prekshme për komunitetin, duke përfshirë në këto tryeza pune edhe përfaqësues të institucioneve të tjera lokale.