Duke vlerësuar rëndësinë e veçantë të masave parandaluese ndaj zjarreve gjatë sezonit të verës, me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë Konispol, z. Erges Dule, u zhvillua sot në ambientet e bashkisë një takim koordinues me strukturat vendore.
Në takim morën pjesë kryetarët e fshatrave, përfaqësues të rendit dhe sigurisë publike, punonjës të shërbimit pyjor, blegtorë dhe pronarë kullotash, si dhe shërbimi zjarrfikës i bashkisë. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe nënprefekti i qarkut, z. Kristo Kiço.
Në fokus të diskutimeve ishte domosdoshmëria e informimit publik mbi rrezikun në rritje të zjarreve, ndërgjegjësimi për përgjegjësinë individuale dhe kolektive, si dhe zbatimi rigoroz i ligjit për ndëshkimin e zjarrvënieve të qëllimshme.