Ditën e sotme, Prefektja e Qarkut Vlorë, znj. Evis Allushi, zhvilloi disa takime pune në Bashkinë e Sarandës, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të saj si përfaqësuese e qeverisë në territor.
Gjatë takimit me drejtuesit e institucioneve shtetërore, Prefektja Allushi vuri theksin te kontrolli dhe monitorimi i zbatimit të programit të qeverisë në sektorë të ndryshëm, duke kërkuar më shumë angazhim, përgjegjësi dhe bashkëpunim institucional në përmbushjen e objektivave, si dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Gjatë vizitës, Prefektja e Qarkut pa nga afër kushtet e punës së shërbimit zjarrfikës të Sarandës dhe bashkëbisedoi me punonjësit për nevojat, sfidat dhe kërkesat që ata kanë për përmirësimin e kushteve të punës dhe të mjeteve logjistike.
Në përmbyllje të vizitës, znj. Allushi zhvilloi një takim me drejtuesit e strukturave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) dhe të emergjencave civile të bashkive Sarandë, Konispol, Finiq dhe Delvinë, ku u diskutua për forcimin e masave parandaluese dhe rritjen e gatishmërisë institucionale për përballimin e situatave emergjente.


