Takimi i Komitetit Rajonal Antitrafik në Sarandë – Masat për Sezonin Turistik dhe Mbrojtja e Fëmijëve në Situatë Rruge.
Takimi i Komitetit Rajonal Antitrafik në Sarandë – Masat për Sezonin Turistik dhe Mbrojtja e Fëmijëve në Situatë Rruge.
Në kuadër të rritjes së fluksit të pushuesve vendas dhe të huaj gjatë sezonit turistik në Sarandë, Prefekti i Qarkut Vlorë në bashkëpunim me Qendrën Rinore Sarandë, zhvilloi një takim pune me Komitetin Rajonal Antitrafik dhe Tryezën Teknike ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe organizatave që veprojnë në fushën e parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore.
Diskutimet u fokusuan tek masat e marra dhe ato që do të intensifikohen në vijim, me synim rritjen e sigurisë, parandalimin e trafikimit dhe mbrojtjen e kategorive në nevojë, veçanërisht fëmijët në situatë rruge dhe ata të shfrytëzuar për lypje.
Zyra e Punës Sarandë ka ofruar mundësi punësimi të lehtë në komunitet për persona në situatë të vështirë sociale, si një mënyrë për të shmangur shfrytëzimin dhe për t’i dhënë alternativa më të sigurta familjeve në nevojë.
Bashkia Sarandë në bashkëpunim me Policinë, Kufirin e Migracionin, institucionet arsimore dhe shëndetësore, po punon për identifikimin e rasteve problematike dhe ndërhyrjen e menjëhershme për fëmijët e ekspozuar ndaj rrezikut, veçanërisht ata që shihen në situatë rruge apo të angazhuar në lypje.
Një rol të rëndësishëm po luajnë edhe organizatat si “Mary Ward Loreto” dhe “Jona”, të cilat ofrojnë trajtim psiko-social, ndërgjegjësim dhe mbështetje për viktimat potenciale të trafikimit dhe shfrytëzimit.
Prefekti i Qarkut theksoi se:
Saranda duhet të mbetet një destinacion i sigurt për turistët, por mbi të gjitha për komunitetin vendas, sidomos për fëmijët dhe grupet vulnerabël.
Lufta kundër trafikimit është një prioritet që kërkon bashkëpunim të ngushtë, vigjilencë dhe ndërhyrje të shpejtë nga të gjitha strukturat.
Çdo rast fëmijësh në situatë rruge apo në rrezik duhet të trajtohet me seriozitet, duke vënë në plan të parë mbrojtjen dhe integrimin e tyre.



