Prefekti i Qarkut Vlorë ka zhvilluar një takim me pjesëmarrjen e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klosi, Kryetarëve të Bashkive të Qarkut Vlorë si dhe Anëtarëve e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, organizuar me qëllim evidentimin e problematikave të hasura në sezonet turistike të viteve të kaluara dhe paraqitjen e planit të masave për sezonin turistik 2018, nga Bashkitë e Qarkut Vlorë.
Për të patur performancë sa më të lartë të të gjithë faktorëve duhet që së pari të evidentohen problematikat e hasura në sezonet e kaluara turistike, për të realizuar më pas hartimin e masave për parandalimin dhe menaxhimin e këtyre problematikave nga institucionet përkatëse.
Prefekti i Qarkut Vlorë, kërkon që secili institucion që ka ndikim të drejtpërdrejtë ose të terthortë në rritjen e sigurisë për mbarëvajtje të sezonit turistik duhet të realizojë një plan të detajuar masash, implementimi i të cilave do të monitorohet nga Prefekti i Qarkut Vlorë.
Disa pika diskutimi për problematikat e hasura në vitet e shkuara gjatë sezonit turistik, që duhen përmirësuar sa më shpejt nga institucionet përkatëse:
- Pastrimi i plazheve para dhe gjatë gjithë sezonit (në breg dhe ujë) dhe vendosja e koshave për mbeturina në plazhe dhe gjatë shëtitores Lungomare
- Rritja e sigurisë në plazhe
- Vendosja e tabelave informuese në plazhe me figure dhe fjalë (për rrezikshmërinë, thellësinë etj)
- Roja bregdetare funksional
- Qendra shëndetsore sezonale
- Monitorim I mjeteve lundruese (për madhësinë e mjetit që përdorin, shpejtësinë dhe largësinë apo distancën që duhet të mbajë nga bregu I detit)
- Vendosja e rrjetave në det, për zonën e sigurt
- Siguria në cilësinë e ushqimit, me qëllim shmangien e epidemive ose helmime në masë tek turistët
- Monitorim për rritje abusive të cmimeve të produkteve gjatë pikut të sezonit turistik
- Menaxhimi i trafikut dhe marrja e masave për të siguruar vendparkime, kryesisht në zonat e plazheve
- Ndotja akustike, monitorim i bar dhe club për zbatimin e ligjit për ndotjen akustike
- Funksionimi I qendrave info point, për dhënie informacioni tek turistët
- Sigurimi I ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike dhe marrja e masave për zgjidhje të menjëhershmë për rastet e defekteve në rrjetin e shpërndarjes
- Marrja e masave për parandalimin dhe evidentimin e rasteve kur peshkimi bëhet me mjete dhe forma që dëmtojnë ekosistemin ose rrezikojnë sigurinë e turistëve dhe qytetarëve
- Bërja publike në median e shkruar dhe vizuale për cdo lajmërim, të situatave të vecanta që ndikojnë në mbarëvajtje të sezonit turistik
Nga drejtuesit e institucioneve kërkohet që brenda muajit Prill të dorëzojnë pranë Prefektit të Qarkut Vlorë, planin e hartuar të masave që duhet zbatuar në funksion te sezonit turistik 2018.
Prefekti i Qarkut Vlorë në vijim do të realizojë takime intensive lidhur me këtë cështje, për rëndësinë e vecantë që ka, sidomos për qarkun e Vlorës, pasi sezoni turistik është në nisje dhe performanca e institucioneve mund të jetë e lartë vetëm në saj të hartimit të masave dhe monitorimit të vazhdueshëm për implementimin e tyre, duke pasur qëllim që të ofrojmë një sezon turistik të qetë dhe të sigurtë për të gjjthë turistët dhe qytetarët.