Posted By akshiAdmin
Takim me Autoritetet Portuale

Prefekti I Qarkut Vlorë ka zhvilluar një takim me Drejtoritë që operojnë në Portin e Vlorës (Drejtorin e Kufirit dhe Emigracionit, Drejtorin e Doganës, Drejtorin e Portit dhe Drejtorin e Autoriteit Portual) me qëllim marrjen e masave për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe turistëve, si dhe rritjen e performancës në punë.

Në takim u diskutua në lidhje me problematikat e hasura në vitet e kaluara dhe marrjen e  masave për parandalimin e tyre.

Gjatë këtij sezoni turistik, parashikohet që numri i turistëve dhe vizitorëve në Vlorë të jetë më i lartë se cdo vit tjetër, ndaj duhen marrë të gjitha masat për të ofruar një shërbim sa më të kulturuar dhe pa vonesa.

Mbarëvajtja e punës në Portin e Vlorës vjen vetëm në bazë të një bashkëpunimi dhe përgjegjshmërie nga të gjitha institucionet.

Memorandiumi i nënshkruar me Konsullatën Italiane duhet respektuar dhe duhet punuar në zgjidhjen e problemeve të hasura deri më tani.

Duhen marrë masat për të respektuar oraret e nisjes dhe të mbërritjes së tragetit. Respektimi i orarit është domosdoshmëri, ndaj është i nevojshëm diskutimi me faktorë të jashtëm për përgjegjësinë që mbartin, sic janë shoqëritë e biletave dhe autobusëve.

Prefekti I Qarkut Vlorë në fjalën e tij u shpreh se është domosdoshmëri ndërmarja e një fushate sensibilizimi, ku të përfshihen qytetarët dhe shoqëritë e biletave dhe autobusëve duke përdorur të gjithë faktorët mediatik.

Njekohësisht, një problem madhor dhe i domosdoshëm që duhet zgjidhur është mungesa e një skaneri, prania e të cilit do të lehtësonte punën në përpunimin e informacionit për mallrat dhe automjetet.

Drejtuesit e institucioneve pranuan se janë në dijeni të problemeve të hasura në të kaluarën dhe se do të hartojnë një plan masash për zgjidhjen e menjëhershme të tyre.