Posted By akshiAdmin
Takim me Kryetarin e Bashkisë Selenicë – Inspektim në Lumin Vjosë

Në kuadër të Planit të Emergjencave Civile, për parandalimin dhe uljen e rrezikut të përmbytjeve në vend,Prefekti i Qarkut Vlorë Flamur Mamaj ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Bashkisë Selenicë Z. Përparim Shametaj.

Qëllimi i këtij takimi konsistonte në njohjen e problematikave reale dhe vlerësimin e rrezikut që paraqet për zonën Lumi Vjosë, sidomos në kohë më reshje intensive. Situata e përmbytjeve ka qenë në fokus të vecantë të Prefektit të Qarkut Vlorë, sidomos gjatë muajve të fundit, ku lumi Vjosë ka paraqitur rrezik serioz për zonën.

Për t’u njohur me problemet reale Prefekti i Qarkut Vlorë dhe Kryetari i Bashkisë Selenicë bënë një inspektim në terren, në lumin Vjosë, duke parë dhe evidentuar të gjitha problemet, me qëllim marrjen e masave për zgjidhjen e tyre.

Gjatë inspektimit u konstatua se si rezultat i prurjeve të shumta të Lumit Vjosë, gjatë fundit të muajit Dhjetor 2017 dhe muajve të parë të vitit 2018, shtrati i tij ka devijuar duke ju afruar më tepër anës jugore të rrjedhjes së tij (anës së majtë). Lumi Vjosë duke u afruar më shumë në territorin e Bashkisë Selenicë ka sjellë dëme të shumta në tokat bujqësore gjatë përmbytjeve të Dhjetorit 2017 dhe Shkurtit 2018.

Aktualisht si rezultat i këtij devijimi, kërcënohet seriozisht stacioni i pompave që furnizon qytetin e Selenicës. Panelet mbrojtës që janë në afërsi të stacionit të pompave nuk e kryejnë më këtë funksion, madje kryejnë funksion negativ.

Situata gjykohet mjaft kritike pasi rrezikohet stacioni i pompave të Bashkisë Selenicë si dhe dëmtimi i mëtejshëm i tokave bujqësore. Investimi i kërkuar për të bërë të mundur mbrojtjen e stacionit dhe të tokave është jashtë kapacitetit të Bashkisë Selenicë.

Prefekti i Qarkut Vlorë pas njohjes me probleme të tilla madhore, do të vë në dijeni të situatës të gjitha instancat, për marrjen e masave emergjente për zgjidhjen e tyre, me qëllim parandalimin dhe uljen e rrezikut për përmbytje në zonën përreth lumit Vjosë.